
Paraditen e së shtunës, më 4 shkurt 2012, ka çelur dyert e tij Panairi i Librit Islam në Shkodër.
Kjo iniciativë e Myftinisë Shkodër është përshëndetur nga vizitorët e ndryshëm që kanë marrë pjesë në hapjen e panairit dy ditor, që zhvillohet në ambientet e bibliotekës së Shkodrës.
Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Maxhid Cungu, Drejtori i Bibliotekës Shkodër, z. Gjovalin Çuni, drejtues të institucioneve, intelektualë e besimtarë, që kanë shprehur vlerësimet e tyre për këtë aktivitet me vlera në qytetin e Shkodrës.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Myftiu i Shkodrës ka theksuar se ky panair, që zhvillohet për herë të parë në Shkodër, vjen në kuadër të aktiviteteve me rastin e përkujtimit të lindjes së Hz. Muhamedit (a.s). Ai ka shtuar se Profeti Muhammed (a.s.) ishte profeti i dijes, i lapsit, i shkrimit, i librit dhe i vlerave shkencore, prandaj është në nderin e Myftinisë Shkodër të organizojë këtë panair në këtë ditë të shënuar për mbarë botën islame.
Ai ka falënderuar të gjitha shtëpitë botuese nga: Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria që kanë marrë pjesë në panair, sikurse ka vlerësuar bashkëpunimin me bibliotekën e qytetit, që me shumë dashamirësi ka mirëpritur zhvillimin e panairit të librit islam në ambientet e saj.
Nga ana e tij edhe drejtori i bibliotekës, z. Gjovalin Çuni ka vlerësuar këtë aktivitet, që zhvillohet për herë të parë në Shkodër. Ai ka vënë në dukje se nevoja për librin është shumë e madhe dhe se marrëdhënia e njeriut me librin është e lashtë dhe e domosdoshme në jetë. Ai ka falënderuar Myftininë Shkodër për këtë iniciativë të dobishme për librin, dijen dhe kulturën në qytetin e Shkodrës.
Më pas, Myftiu ka shoqëruar Kryetarin e Bashkisë duke e njohur me shtëpitë botuese, botimet e tyre dhe kontributin që ato japin në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave islame dhe kombëtare nëpërmjet botimeve të tyre.
Në Panairin e Librit Islam në Shkodër, kanë marrë pjesë tetë shtëpi botuese nga: Shkupi, Prishtina, Tirana dhe Shkodra.

