
Universiteti i Korçës “F. S. Noli” dhe Shtëpia Botuese “Logos-A”, Shkup, në bashkëpunim dhe me institucione të tjera, organizun një konferencë me temë: “Hafiz Ali Korça – 55 vjet pas” për veprimtarinë dhe kontributin e lartë të intelektualit të madh Hafiz Ali Korça.
Në këtë veprimtari të rëndësishme morën pjesë pedagogë dhe studiues nga universitete dhe institucione arsimore-shkencore, përfaqësues qeveritarë, kulturorë, politikë, shoqata, si dhe akademikë nga Shqipëria, si dhe të ardhur nga Kosova e Maqedonia, etj..
Qëllimi i kësaj konference ishte ndriçimi i aspekteve të pambuluara më herët në jetën dhe veprën e Hafiz Ali Korçës. Në këtë organizim madhështor u mbajtën referate dhe kumtesat të cilat shpalosën gjithë jetën dhe veprën e këtij dijetari të madh të kombit shqiptar.

Konferenca u mbajt përkatësisht më 21 dhe 22 dhjetor 2011 e ndarë në tre seanca në shqip dhe anglisht, me qëllim që të mundësohet bashkëveprimi dhe diskutimi intensiv mes disiplinave hulumtuese për veprën e Hafiz Ali Korçës. Krahas këtij aktiviteti Bashkia Korçë i ka dhënë edhe titullin “Qytetar Nderi”, dorëzuar nga kryetari i Bashkisë Niko Peleshi.
Në mbrëmjen e parë të aktivitetit për nder të të ftuarve në këtë eveniment shkencor Medreseja e Korçës ka shtruar edhe një darkë solemne, ku të ftuarit janë pritur nga drejtori i medresesë z. Omer Çallësh dhe myftiu i zonës Korçë H. Qazim Muçi.

Hafiz Ali Korça ishte një intelektual, atdhetar dhe patriot i flaktë, i cili dha një kontribut mjaft të rëndësishëm në çështjet kombëtare. I rritur në një mjedis patriotik, fetar e kulturor Korçar të pastër, ai u brumos me bindje dhe parime bazë, që e ngritën lart emrin e tij, por që u përndoq nga regjime të ndryshme, si dhe nga komunizmi për idetë, pikëpamjet dhe veprimtarinë e tij.
Hafiz Ali Korça dhe vepra e tij janë dy pjesë organikisht të pandara. Hafiz Aliu radhitet midis luftëtarëve, krijuesve dhe islamologëve të Rilindjes, vepra dhe jeta e të cilit hapi shtigje të reja në rrugën e zhvillimit fetar dhe kombëtar.
Siç shkruan ai një kryeveprën e tij “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”
Për Shqipërinë u përpoqa
sa flijova jetën time
nuk tregohet se sa hoqa
se shteti mi njihte krime.

