
Medreseja e Korçës organizoi të enjten e 15 dhjetorit 2011 programin “Mbrëmja e Kur’anit”. Ky aktivitet është kthyer në ritual tashmë në këtë medrese ku aktiviteti konsiston në shpërndarjen e Kur’anëve për nxënësit e rinj.
Aktiviteti u zhvillua në sallën e konferencave të medresesë e cila u tejmbush nga prindër dhe nxënës të kësaj shkolle. Drejtori i medresesë Omer Çallësh ka falënderuar pjesëmarrësit si dhe nxënësit të cilët kanë zgjedhur këtë shkollë për të studiuar, duke i uruar atyre suksese të mëtejshme. Më pas z. Çallësh theksoi se medreseja e Korçës ka qenë gjithmonë një institucion i rëndësishëm arsimor dhe vazhdon të jetë. Këtë e ka treguar tha ai edhe vetë prania e nxënësve nga e gjithë Shqipëria të cilët zgjedhin këtë shkollë për të marrë njohuritë bazë.
Më pas programi ka vazhduar me leximin e Kur’anit, këndimin e ilahive si dhe recitimin e poezive. Të pranishmit janë emocionuar nga interpretimi i mrekullueshëm i nxënësve. Duartrokitjet nuk kanë munguar gjatë gjithë kohës.
Në përfundim të këtij programi mjaft domethënës, u ndanë edhe Kur’anet për nxënësit e rinj, duke lënë kështu për ta një kujtim mjaft domethënës që do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre. Që nga momenti i fillimit të shkollës nxënësit mësojnë gjuhen arabe dhe mësime të tjera dhe në këtë aktivitet u jepet për herë të parë Kur’ani i Madhërishëm. /Drita Islame/

