
U përkujtua dje në Shkodër me dt. 12.12.2011, 20 vjetori i hapjes së Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”. Ceremonia e organizuar me këtë rast mblodhi figura drejtuese dhe personalitete të shquara të jetës fetare, kulturore, arsimore e qytetare të Shkodrës, por jo vetëm.
Me rastin e këtij jubileu, KMSH ka dekoruar Medresenë me çmimin “Pishtar i dijes dhe arsimit islam”, si dhe me propozim të kryetarit të KMSH-së H. Selim Muça, Presidenti i Republikës z. Bamir Topi ka dekoruar Medresenë "H. Sheh Shamia" me Urdhërin "Naim Frashëri" i Artë.

Në këtë datë përvjetor Medresesë “Haxhi Sheh Shamia” i janë akorduan disa çmime. Një moment i veçantë ishte edhe nderimi me tituj nga Bashkia e Shkodrës e drejtuesve të Medresesë ndër vite, posaçërisht të atyre që hodhën hapat e parë në themelimin e këtij institucioni që do të ushqente me dritën e besimit brezin e ri shqiptar.

Në programin e zhvilluar në sallën e teatrit “Migjeni”, Komuniteti Mysliman përfaqësohej nga nënkryetari, H. Gazmend Aga, dhe drejtorët e Arsimit dhe Medias, z. Altin Shima dhe z. Agron Hoxha.
Në përshëndetjet e tyre personalitetet që e morën fjalën vlerësuan rolin e madh të kësaj shkolle, e cila për vlerat dhe misionin e saj të madh mbetet një relikte e arsimit të përgjithshëm dhe atij fetar. Sipas tyre të gjitha gjeneratat që përfunduan këtë shkollë morën një arsim të gërshetuar me ndjenjat e dashurisë dhe vlerësimit për të drejtën, të bukurën dhe njerëzoren. Jo vetëm kaq, nxënësit e medresesë kudo që janë rrezatojnë vlerat e larta të kulturës, moralit dhe edukatës islame.
Ish drejtues dhe mësues të kësaj shkolle kujtuan me nostalgji ato ditë të vështira kur u çel kjo “kështjellë” diturie, përpjekjet dhe sfidat e shumta të përjetuara gjatë asaj kohe kur vendi sapo kishte dalë nga rrënojat e sistemit të vjetër.

Aktivitetin e përshëndeti edhe nënkryetari i KMSH-së, z. Gazmend Aga. Në fjalën e tij ai vlerësoi lart punën e kryer nga drejtuesit ndër vite në këtë institucion arsimor e edukativ. “Suksesi i kësaj shkolle dhe i simotrave të saj në mbarë vendin, na shton energjitë dhe na frymëzon për të punuar akoma më shumë në dobi të së mirës së shoqërisë. Shpresojmë që këto shkolla të ecin në gjurmët e Medresesë së Përgjithshme të dikurshme të Tiranës, të themeluar nga etërit tanë”, u shpreh nënkryetari Aga.
Një falënderim të veçantë z. Aga bëri në adresë të fondacioneve islame ndër vite, të cilat me mbështetjen e tyre financiare kanë kontribuar që medreseja të arrijë suksese dhe rezultate të kënaqshme.
Në emër të Myftinisë Shkodër përshëndeti Myftiu H. Muhamed Sytari. Si ish-nxënës dhe mësues i kësaj shkolle, Imam Sytari tha: “Medreseja është një investim me vlera të jashtëzakonshme, fidanishte e edukimit dhe e brumosjes së brezave me dije, edukatë fetare dhe kulturë besimi”.
Myftiu Sytari kërkoi nga të pranishmit në sallë që të kujtojnë dhe përmendin me respekt ish Kryetarin e KMSH-së, H. Hafiz Sabri Koçi për përpjekjet e tij të vazhdueshme në të mirë të Islamit dhe vizionin e tij për rritjen e një brezi me besim e të arsimuar dhe të shëndetshëm moralisht.
Në këtë aktivitet u kënduan ilahi dhe u recituan poezi nga artistë të njohur dhe nxënës të Medresesë. Përmes inserteve të veçanta, të pranishmit në sallë kanë kujtuar me respekt e vlerësim rrugëtimin e Medresesë në këto 20 vite, duke i uruar asaj suksese e arritje të tjera në vazhdim.
Në hollin e teatrit “Migjeni” ishte organizuar edhe një ekspozitë fotografike ku vizitorët patën rastin të njihen përmes fotove me momente të spikatura nga aktiviteti 20 vjeçar i kësaj shkolle elitare në qytetin e Shkodrës. Aty ishin vendosur stenda me foto të ndryshme që prezantonin aktivitete, veprimtari, drejtues të shkollës, mësues e nxënës, në momentet më të bukura të jetës në medrese.
20 vjetori i Medresesë është shoqëruar edhe me aktivitete të tjera në kujtim të kësaj ngjarjeje të shënuar të historisë së arsimit islam në Shqipëri. Gjithashtu është botuar edhe një libër me titull “Themelet e një medreseje” me autorë Eljaz Kraja dhe Ahmet Osja./Drita Islame/


