
Mijëra paketa me mish kurbani janë shpërndarë këtë vit në të gjitha rrethet e Shqipërisë me rastin e Kurban Bajramit, për shtresat në nevojë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Turqisë, si dhe shoqatave e donatorëve të ndryshëm kanë dhuruar paketa kurbani në të gjithë vendin.
Numri i paketave të kurbaneve në total shkon në mbi 21 mijë, prej 3 kilogramësh secila, të cilat janë shoqëruar edhe me nga një revistë “Haxhi dhe Kurbani”, si dhe broshura për Kurban Bajramin.
Paketat e kurbaneve në kryeqytet u janë shpërndarë, të varfërve, familjeve të policëve të rënë në detyrë, shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, Shtëpisë së Moshuarve, fëmijëve me aftësi të kufizuar, si dhe njerëzve të tjerë në nevojë. E njëjta procedurë shpërndarje është ndjekur edhe në rrethet e tjera të vendit.
Mbledhja dhe shpërndarja e Kurbaneve është organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim të ngushtë me fondacione të ndryshme dhe myftinitë e rretheve.
Gjithashtu falë bashkëpunimit të Komunitetit Mysliman me autoritetet vendore dhe shoqërinë civile, është bërë i mundur identifikimi i familjeve në nevojë, në secilin rreth të Shqipërisë. Kurbanet konsistojnë në disa qindra paketa për secilin qytet.
Vlen të theksohet se ndryshe nga vitet e kaluara këtë vit janë shpërndarë një sasi e madhe kurbanesh, ku në Tiranë numri total shkon në mbi 4.000 paketa, si dhe në rrethe e tjera më të vogla ky numër shkon në qindra paketa, në bazë të listave të familjeve në nevojë.
Një tjetër risi e këtij viti ishte edhe shpërndarja e ushqimit, pas faljes së namazit të Bajramit në sheshin para ish-hotel Dajtit. Ushqimi konsistonte në asortimentet si mish, ëmbëlsira dhe pije freskuese të ndryshme për më shumë se 5.000 vetë, të cilat u shpërndanë gjatë ceremonisë festive të kësaj feste të madhe për mbarë myslimanët.

