Të premten më 28 Tetor 2011 në qytetin e Kavajës është organizuar aktiviteti me temë: "Kurban Bajrami-Kuptimi dhe rëndësia e kësaj feste".
Aktiviteti u organizua nga Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Medreseja “Hafiz Ali Korça”, Kavajë, nën kujdesin e Bashkisë së rrethit Kavajë, aktivitet ky i zhvilluar në ambientet e Pallatit të Kulturës “Kavaljon” të këtij qyteti.
Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë kryetari i Bashkisë Kavajë z. Elvis Roshi, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Gazmend Aga, Drejtori i Arsimit dhe i Rinisë në KMSH z. Altin Shima, si dhe shumë intelektualë dhe qytetarë të këtij qyteti.
Aktiviteti është hapur me fjalën më të bukur, me citimin e disa vargjeve Kur’anore dhe më pas ka vijuar me përshëndetjen e drejtorit të medresesë "H. Ali Korça" z. Sami İkiz. Programi është shoqëruar edhe me disa ilahi, të cilat u kënduan nga kori i nxënësve të medresesë së qytetit.

Pas një hyrje të shkurtër që i bënë vetë nxënësit e kësaj medreseje kuptimit të festës së Kurban Bajramit, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Gazmend Aga, ka mbajtur një kumtesë rreth historikut të prejardhjes së kësaj feste, si dhe ka folur në lidhje me rëndësinë e kryerjes së riteve të Haxhit dhe Kurbanit.
Programi ka përfunduar me një koktejl të përgatitur me këtë rast, si dhe për të gjithë të pranishmit është shpërndanë revista "Haxhi dhe Kurbani", botim special i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, botuar për herë të parë këtë vit.

