
Ditën e enjte, dt. 19.10.2011, në fshatin Gosë të Vogël të Kavajës, u përurua xhamia e re e financuar nga fondacioni “Mirënjohja”.
Në përurim kishin ardhur besimtarë të fshatit dhe fshatrat përreth me një pjesëmarrje të madhe të moshave të reja. Në këtë ceremoni morën pjesë nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu, kryetari i Këshillit të Përgjithshëm i KMSH-së, Ylli Gurra, përfaqësuesi i fondacionit financues, z. Samet Shehu, kryetari i komunës Eqerem Delia dhe të ftuar të tjerë.

Pas prerjes së shiritit u bënë përshëndetjet e rastit. Në fjalën e tij, nënkryetari Bujar Spahiu shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për financuesin dhe fondacionin në fjalë, të cilët mundësuan realizimin e këtij objekti të shumëpritur. Më tej ai përgëzoi besimtarët për xhaminë e re, duke uruar që ky objekt t’u shërbejë atyre për të kryer ritet dhe shërbesa të ndryshme fetare në kushte sa më komode.
Të tjerë të ftuar që e morën fjalën më pas theksuan se xhamia do të shërbejë jo vetëm si vatër adhurimi, por edhe edukimi e arsimi si dhe një vend ku besimtarët, por jo vetëm do të marrin kënaqësi dhe do të përjetojnë qetësi shpirtërore.
Pas ceremonisë së përurimit, u fal namazi i drekës nën drejtimin e nënkryetarit të KMSH-së, z. Bujar Spahiu.


