
Më 22 shtator 2011, në sallën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, Tiranë, u promovua libri “Rrugëtimi i Fesë Islame në Shqipëri (1912-1967)”, i studiuesit Ali M. Basha.
Aktiviteti i organizuar nga shoqata kulturore “Ardhmëria” në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, mblodhi personalitete fetare, përfaqësues të institucioneve akademike dhe arsimore, intelektualë, studentë, besimtarëve të shumtë myslimanë, të ftuar e miq të autorit.
Aktiviteti promovues u hap me përshëndetjet e drejtorit e Shoqatës “Ardhmëria” z. Ferid Piku dhe të nënkryetarit të Komunitetit Mysliman, z. Bujar Spahiu, të cilët shprehën vlerësime e konsideratë për përpjekjet dhe vendosmërinë e autorit për arritjen e këtij botimi me vlera. Ata e cilësuan veprën e z. Basha si një vlerë e shtuar në bibliotekat shqiptare.

Mbi rëndësinë e librit dhe vlerat e tij studimore folën historiani Agim Bardhi, sociologu Genti Kruja, teologu Sabahudin Jashari etj. Në komentet e tyre ata theksuan se botimi trajton një histori reale bazuar mbi fakte të patjetërsueshme, të ruajtura dhe mbajtura me sistematikë nga drejtuesit e Komunitetit Mysliman të asaj kohe, mbi marrëdhëniet institucionale, mbi baza dokumentesh, kronikash dhe informacionesh të ndryshme, duke e bërë lexuesin bashkudhëtar të historikut institucional të fesë islame në Shqipëri nga pavarësia deri në ndalimin e saj më 1967.
Sipas tyre, z. Basha në përmbledhjen e tij sjell në vëmendje se elementi mysliman shqiptar ka qenë vendimtar në fatet historike të vendit tonë. Aty tregohet qartë se njerëzit e fesë dhe besimit në përgjithësi, dhe ata myslimanë në veçanti, kanë qenë ata të cilët morën frenat e së ardhmes shqiptare dhe asaj fetare, duke konsoliduar shtetin e ri shqiptar, nëpërmjet institucionalizimit të tij, pa e politizuar fenë, por duke e përdorur gjithmonë, vetëm si burim frymëzimi për idealet kombëtare, atdhetare dhe patriotike, në të mirë të të përbashkëtave të të gjithë shoqërisë sonë.
Në fund, fjalën e mori edhe z. Ali Basha. Ai falënderoi përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit dhe veçanërisht organizatorët për këtë suprizë të këndshme.
Libri i studiuesit Ali Musa Basha, i cili është vazhdim i dy veprave të botuara më herët prej tij me tituj “Islami në Shqipëri gjatë shekujve” dhe “Nëpër gjurmët e Islamit në Shqipëri”, shihet si një kontribut me rëndësi në fushën e historiografisë shqiptare.

