
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka organizuar gjatë muajit të Madhërueshëm të Ramazanit një program të larmishëm në RTV Ora News dhe Channel One. Në këtë cikël emisionesh, që erdhën nën titullin “Me syrin e zemrës” dhe që nisën nga dt. 01.08.2011, janë trajtuar një larmi e gjerë çështjesh fetare dhe sociale.
Më shumë se sa një emision informativ, “Me syrin e zemrës”, me të ftuarit specialë nga fusha të ndryshme, ka ofruar një mundësi më shumë për të bashkëbiseduar me ndërgjegjen e teleshikuesit për çështje dhe problematika të caktuara që preokupojnë individin dhe shoqërinë sot.
Programi ku çdo çështje është parë “Me syrin e zemrës”, i moderuar nga gazetari Ramadan Çipuri dhe nën regjinë e z. Agron Hoxha, është transmetuar çdo ditë direkt nga ora 19.00 deri në 19.50 dhe ritransmetohej në orën 04.00.
“Me syrin e zemrës” transmetohej paralelisht edhe në kanalin analog “Channel One” në orën 20.00. Teleshikuesit brenda dhe jashtë vendit kanë pasur mundësi ta ndjekin këtë program dhe në faqen e TV www.ora-news.com, në radio Ora News në frekuencat 96.7 FM, si dhe në paketën dixhitale tokësore dhe satelitore “Digitalb” drejtpërsëdrejti.
Gjithashtu RTV Ora News ka transmetuar për besimtarët ezanin e Iftarit dhe të syfyrit në oraret përkatëse.
Nëpërmjet këtij programi të përnatshëm Komuniteti Mysliman ka synuar që të jetë sa më afër besimtarëve në muajin e madh të vlerave morale, sociale e njerëzore. Këshillat dhe porositë e shumta të përcjella me ëmbëlsinë e shpirtit kanë bërë vend në zemrat e teleshikuesve shqiptarë, të cilët janë bërë pjesë e pandarë e programit gjatë rrugëtimit të tij njëmujor.

