
Me dt. 30.07.2011 në ambientet e Medresesë së Tiranës është mbajtur një mbledhje pune e Kryesisë së KMSH-së me myftinjtë e rretheve. Në këtë mbledhje, të drejtuar nga Kryetari H. Selim Muça, është diskutuar në lidhje me projektet e KMSH-së me rastin e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit. Gjithashtu është diskutuar në vija të përgjithshme për çështje me rëndësi për ecurinë dhe mbarëvajtjen e punës së institucionit në vazhdim.
Në fjalën e tij, kreu i institucionit, H. Selim Muça ka përshëndetur punën dhe angazhimin serioz të myftinjve dhe ka kërkuar prej tyre që në këtë muaj të bekuar e të veçuar nga Zoti, të shtojnë përpjekjet për të promovuar vlerat e larta të Islamit dhe dobinë madhe të këtij muaji të rëndësishëm. Nga ana tjetër, Kryetari Muça u kërkoi drejtuesve në rrethe që të hartojnë një plan pune të veçantë për këtë muaj, i cili të konsistojë në gjallërimin e jetës fetare me tubime, biseda dhe iftare vëllazërore, por edhe me punë të tjera të dobishme në interes të shoqërisë ku ata jetojnë e veprojnë.
Gjatë mbledhjes është diskutuar gjerësisht për çështje si përcaktimi i sadakasë së Fitrit dhe organizimi i Haxhit 2011, i cili këtë vit është ekskluzivitet i KMSH. Duke parë situatën e vështirë ekonomike në vend, u vendos që sadakaja e Fitrit për këtë vit të jetë 250 lekë. Kurse për Haxhin, myftinjve iu la si detyrë që të shfrytëzojnë çdo mundësi për të informuar besimtarët në lidhje me rëndësinë e këtij adhurimi bazik, si dhe t’u garantohet se Haxhi i këtij viti do të jetë shumë ndryshe në organizim krahasuar me vitet e kaluara. Në këtë kontekst, nënkryetari z. Bujar Spahiu u shpreh se KMSH ka menduar të shfrytëzojë përvojën e disa vendeve që kanë një të kaluar të suksesshme në këtë drejtim. Organizimi i Haxhit pa bashkëpunimin me shoqata apo persona të tjerë, sipas z. Spahiu, bëhet për të rritur imazhin e KMSH në masat e gjera, për të krijuar kushte sa më të favorshme, për të plotësuar kërkesat e besimtarëve dhe kryer një shërbim komod ndaj tyre.
Më pas edhe kancelari i KMSH-së z. Ali Zaimi ka folur në lidhje me aktivitetet e Ramazanit në qendër dhe në rrethe. Ai ka bërë prezantimin e programeve televizive që organizohen këtë vit nga KMSH dhe ka nxitur myftinjtë që të shfrytëzojnë mjetet e masmedias për të promovuar sa më shumë vlerat e Islamit në përgjithësi dhe të Ramazanit në veçanti.
KMSH ka shpërndarë për të gjitha myftinitë e Shqipërisë edhe një tirazh të konsiderueshëm prej dhjetëra mijëra copësh të imsakijeve të Ramazanit, posterave dhe revistës Ramazan, e cila kjo e fundit vjen si i pari botim i këtij lloji në Shqipëri, i pajisur edhe me ISBN.
Në fund, myftinjtë pjesëmarrës kanë vlerësuar nismën e fundit të institucionit, duke e konsideruar si një mundësi të mirë për zhvillimin e tij dhe kryerjen e një pune kualitative e të mirëorganizuar në të ardhmen.


