
Kryetari H. Selim Muça priti me dt. 26 korrik 2011 në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, një delegacion të Dhomës së Përfaqësuesve të Republikës së Indonezisë.
Pasi u uroi mirëseardhjen, Kryetari Muça në fjalët e tij të para shprehu mirënjohjen dhe konsideratën për shtetin dhe popullin indonezian, që sipas tij, kanë treguar gjithnjë interes për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Deputetët e Parlamentit të Republikës së Indonezisë, pasi falënderuan Kryetarin për pritjen, vlerësuan rolin e institucionit për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të myslimanëve. Ata gjithashtu vlerësuan si të dobishëm kontributin e Komunitetit Mysliman si për sa i përket organizimit të jetës fetare, ashtu dhe në favor të shoqërisë dhe çështjes kombëtare.

Nga ana e tij, Kryetari Muça i njohu parlamentarët me ecurinë e institucionit në këto vite. Ai theksoi se puna e KMSH-së në këto vite ka pasur rritje, por kjo nuk mjafton. Sipas tij, misioni që ka KMSH është shumë i rëndësishëm dhe në një vend si Shqipëria, ku bashkëjetojnë tre besimet tradicionale, ai, padyshim merr një rëndësi të veçantë. Kryetari z. Muça i bëri një panoramë edhe strukturave drejtuese të KMSH-së, duke i njohur me myftinitë e rretheve, si dhe me sistemin e suksesshëm arsimor,. Medresetë dhe Universitetin Bedër.
Modeli i tolerancës dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri ka qenë një pikë e rëndësishme e bisedës. Sipas kryetarit të delegacionit, z. Muhamed Hidajet Nur Uahid, Kryetar i Këshillit të Bashkëpunimit Ndërparlamentar, harmonia ndërfetare në Shqipëri përbën një pasuri të rrallë. Ajo duhet ruajtur dhe forcuar. Ndoshta kjo bashkëjetesë unike duhet të reflektojë edhe në klasën politike, e cila mund të nxjerrë prej saj mësime të vlefshme.
Në takimin me delegacionin parlamentar të Indonezisë ishin të pranishëm nënkryetari i KMSH-së, z. Gazmend Aga, kancelari z. Ali Zaimi dhe disa nga drejtuesit kryesorë të institucionit.


